Gjinoci Bashkë
Politika e privatësisë
Kjo politikë shpjegon cilat të dhëna personale mbledh platforma Gjinoci Bashkë (gjinoci.org), pse i mbledh, kush i sheh dhe çfarë të drejtash ke.
Kush është përgjegjës
Platforma mbahet nga Këshilli i fshatit Gjinoc, Komuna e Suharekës. Këshilli është përgjegjës për të dhënat personale që përpunohen përmes saj.
Cilat të dhëna mbledhim
- Kontributet në para: emri dhe mbiemri, shuma, data, lagjja, mënyra e pagesës dhe, kur jepen, telefoni ose emaili. Kontributet i regjistron arkëtari i këshillit, jo vetë vizitori.
- Donacionet në material, pajisje ose punë: emri i donatorit ose i biznesit, çfarë u dhurua, sasia, data dhe, ndonjëherë, një fotografi.
- Regjistrimi i biznesit: të dhënat që plotëson në formular (emri dhe përshkrimi i biznesit, adresa, telefoni, WhatsApp, Viber, emaili, uebfaqja, rrjetet sociale, logoja dhe fotografia), si dhe adresa IP nga e cila u dërgua aplikimi, për t'u mbrojtur nga abuzimi.
- Llogaritë e administratorëve: emri, emaili dhe fjalëkalimi, i cili ruhet i enkriptuar.
- Të dhëna teknike: cookie-t e nevojshme për funksionimin e faqes dhe regjistrat e serverit (adresa IP, koha dhe faqja e kërkuar), që i mban ofruesi i hostimit.
Pse i përdorim
- për transparencën financiare të fshatit: çdo kontribut i verifikuar dhe çdo shpenzim i aprovuar hyn në totalet publike;
- për të shfaqur donacionet dhe bizneset e aprovuara;
- për të kontaktuar kontribuuesin, donatorin ose biznesin kur duhet sqaruar diçka;
- për sigurinë dhe funksionimin e faqes.
Të dhënat nuk i shesim, nuk i japim me qira dhe nuk i përdorim për reklama.
Çfarë shfaqet publikisht
Çdo kontribuues zgjedh si shfaqet në listën publike: me emër dhe shumë, vetëm me emër, si "Kontribues anonim", ose aspak individualisht. Pavarësisht zgjedhjes, shuma llogaritet gjithmonë në totalet, që llogaria e fshatit të jetë e plotë. Telefoni dhe emaili i kontribuuesit nuk publikohen kurrë.
Donacionet shfaqen me emrin e donatorit, si donator anonim, ose nuk publikohen fare, sipas zgjedhjes së donatorit. Të dhënat e një biznesi publikohen vetëm pasi aplikimi aprovohet, me pëlqimin e dhënë në formular.
Kush tjetër i sheh
- Anëtarët e këshillit dhe administratorët e platformës, secili vetëm aq sa i duhet për rolin e vet (p.sh. arkëtari për kontributet).
- Ofruesi i hostimit (Namecheap), në serverët e të cilit ruhen faqja, databaza dhe kopjet rezervë.
- OpenStreetMap: kur hap hartën, shfletuesi yt i merr pllakat e hartës drejtpërdrejt nga serverët e OpenStreetMap, të cilët e shohin adresën tënde IP.
Sa kohë i ruajmë
- Kontributet, donacionet dhe shpenzimet ruhen pa afat, sepse janë llogaria publike e fshatit. Ato nuk fshihen: një regjistrim i gabuar anulohet me arsye të shënuar, dhe çdo ndryshim mbetet i regjistruar.
- Bizneset ruhen derisa të hiqen nga direktoria, me kërkesë të pronarit ose të administratorëve.
- Kopjet rezervë të databazës mbahen rreth një javë dhe pastaj fshihen vetë.
Cookie-t
Faqja përdor vetëm cookie të domosdoshme: cookie-n e sesionit dhe atë që e mbron nga kërkesat e falsifikuara (XSRF-TOKEN). Ato skadojnë pas dy orësh pa aktivitet. Nuk përdorim cookie analitike apo reklamuese.
Të drejtat e tua
Sipas Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ke të drejtë të kërkosh qasje në të dhënat e tua, korrigjimin e tyre, kufizimin e përpunimit ose fshirjen kur nuk ka më arsye që ato të ruhen. Mund të kërkosh në çdo kohë edhe ndryshimin e mënyrës si shfaqesh në listën e kontributeve.
Kontributet nuk fshihen nga llogaria e fshatit, por emri yt mund të hiqet nga lista publike me zgjedhjen "Mos e publiko individualisht"; totali mbetet i saktë.
Nëse mendon se të dhënat e tua nuk trajtohen siç duhet, ke të drejtë të ankohesh te Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).
Kontakti
Për çdo pyetje ose kërkesë rreth të dhënave të tua, kontakto Këshillin e fshatit Gjinoc përmes kontakteve në faqen Kontribo ose në fund të çdo faqeje.
Ndryshimet
Kur kjo politikë ndryshon, ndryshon edhe data "Përditësuar më" në krye të faqes.